Banka e Shqipërisë aprovon transferimin e aksioneve te Intesa Sanpaolo
Tiranë 8 Qershor 2007 - Në mbledhjen e tij të datës 6 qershor 2007, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: Të miratojë transferimin e paketës kontrolluese në masën 80 për qind të aksioneve të Bankës Amerikane të Shqipërisë tek Grupi bankar Intesa Sanpaolo S.p.A. Itali.
Aksioneri i ri i Bankës Amerikane të Shqipërisë, Intesa Sanpaolo S.p.A është një lider italian me dimesion evropian dhe synon që të krijojë një operator të rëndësisë primare, i aftë të prodhojë produkte të rëndësishme për klientelën e të konkurrojë në mënyrë më efikase, në sektorin e shërbimeve bankare dhe financiare. Grupi Intesa Sanpaolo është i pranishëm në 48 vënde. Rrjeti i brendshëm i Intesa Sanpaolo përbëhet afërsisht nga 5,500 degë të shpërndara në gjithë Italinë dhe i shërben rreth 12 milionë klientëve. Me filialet e veta në 13 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe me një rrjet prej rreth 1,650 degësh, ai i shërben rreth 7.7 milionë klientëve.
Me miratimin e këtij transferimi, struktura e kapitalit aksioner të Bankës Amerikane të Shqipërisë zotërohet nga Fondi Shqiptaro Amerikan i Ndërmarrjeve dhe Grupi Intesa Sanpaolo S.p.A, në raportet e mëposhtme:
i. FSHAN, 3,000,000 aksione që përfaqësojnë 20 për qind të kapitalit aksioner të Bankës.
ii. Intesa Sanpaolo, 12,000,000 aksione që përfaqësojnë 80 për qind të kapitalit aksioner të Bankës.
Banka Amerikane e Shqipërisë do të përfshihet, për efekt të mbikëqyrjes, në grupin bankar italian Intesa Sanpaolo S.p.A. |