Marrë nga Shtypi: Intesa, bankat italiane përjashtojnë nevojën e rikapitalizimit
Milan, 22 tetor (Reuters) – Banka më e madhe e Italisë, Intesa Sanpaolo, ka qëndrueshmëri të mjaftueshme kapitali, sipas drejtorit të saj ekzekutiv i cili u shpreh kështu një ditë pasi Kryeministri italian Silvio Berlusconi deklaroi që dy ose tre banka në vend mund të kishin nevojë të forconin më tej kapitalin e tyre.
Corrado Passera u shpreh se plani aktual i biznesit do ta bënte më të qëndrueshëm kapitalin e bankës.
Drejtues nga Banca Popolare di Milano, UBI Banca dhe Banco Popolare u shprehën gjithashtu se nuk do kishin nevojë të merrnin masa për kapitalin.
Presionet nga kriza globale financiare detyruan bankën e dytë më të madhe në Itali, UniCredit
, që në fillim të muajit t’u kërkonte ndihmë investitorëve me qëllim rritjen e kapitalit me 6.6 miliard euro ($8.71 miliard).
Italia, ashtu siç partnerët e saj europianë, ka lajmëruar plane për forcimin e sistemit të vet bankar, por Berlusconi sugjeroi që bankat mund të gjejnë fonde brenda tregut.
“Pas UniCredit, mbase edhe dy ose tre banka të tjera mund të përfitonin nga rritja e kapitalit dhe mendoj që ato do kenë mundësi t’i gjejnë këto fonde brenda tregut,” u shpreh ai në një takim me disa industrialist të martën.
Kryetari i UBI Banca, Emilio Zanetti gjithashtu e konsideroi të panevojshëm bashkimin e bankës së tij me Banco Popolare, duke e quajtur idenë si “fantazi e pastër”.
Të mërkurën, gazeta La Repubblica sugjeroi që, përveç rritjes së kapitali, bankat e vendit mund të merrnin në konsideratë bashkimin e bankave me qëllim forcimin e mëtejshëm përballë niveleve në rënie të bursave. Sipas gazetës La Repubblica, Banco Popolare dhe UBI Banca mund të rikonsideronin planet e bashkimit që ishin braktisur që vitin e kaluar.
Aksionet e Banco Popolare u rritën me 0.83 për qind në 0846 GMT, ndërsa të tjerat ranë gjerësisht në linjë edhe me humbjen prej 2 për qind të treguesit bankar Europian të bankave – DJ Stoxx <.SX7P>.
(Raportoi Gianluca Semeraro, shkruar nga Jo Winterbottom; redaktoi Hans Peters) |