• No Suggestions Result

INSTRUMENTE FINANCIARE

Letrat me Vlerë

Çfarë janë letrat me vlerë dhe përse të shërbejnë ato?

01/09/2021

Çfarë janë letrat me vlerë?

Letrat me vlerë janë instrumente të borxhit publik të emetuara nga qeveria e një vendi, në këtë rast nga qeveria e Republikës së Shqiperisë. Letrat me vlerë janë dy-llojesh:
-    Bono Thesari
-    Obligacione Thesari

Karakteristika të letrave me vlerë:

-   Konsiderohen me risk 0%, duke qenë emetim sovran, pra i Republikës së Shqipërisë.
-  Ato janë likuide, në kuptimin që mund të shiten në çdo moment, pas investimit fillestar, me pak përjashtime. Investimi fillestar bëhet në tregun Primar; por edhe në atë Sekondar. Ky i fundit ende nuk ka marrë zhvillimin e duhur. *
-   Interesi i letrave me vlerë quhet Yield (nga anglishtja, rendiment). 
-  Çmimi i letrave me vlerë përdoret për skontimin e shumës në rastin e Bonove të Thesarit, por edhe për tregtimin e këtyre Letrave me vlerë. Yield dhe çmimi janë në përpjesëtim të zhdrejtë me njëri-tjetrin. Yeldi percakton cmimin e Bonove te Thesarit. Pra, sa më i lartë Yield, aq më i ulët është çmimi, dhe anasjelltas.

*Tregu primar është tregu ku letrat me vlerë tregtohen nga emetuesi i tyre tek blerësi. Tregu sekondar është tregu në të cilin letrat me vlerë tregtohen përsëri, pas blerjes së tyre të parë.

Çfarë janë Bonot e Thesarit? 

Bonot e Thesarit, janë një nga instrumentet e borxhit publik. Bonot e Thesarit kanë maturim 3, 6, ose 12-mujor dhe skontohen në bazë të yield të emetimit. Kjo, praktikisht, do të thotë që klienti ne fillim paguan çmimin e blerjes dhe në maturim merr investimin fillestar, pra principalin.

Shembull

Nëse një individ që do të investojë në Bono Thesari shumën 1mln Lek, ai do të paguajë nje çmim që është p.sh 950,000 Lekë dhe në maturim merr shumën nominale pra 1 mln Lek. Diferenca prej 50 mijë Lekësh përbën skontimin që i kalon klientit si përfitim. Në datën e maturimit të Bonove aplikohet tatimi mbi interesin e te ardhurave te perfituara nga investimi. Tatimi është 15%. Pra, individi përfiton 50 mijë Lekë minus 15% të kësaj shume pra 42,500 Lekë.

 

Karakteristika të Bonove të Thesarit:

-    Instrumenta shumë likuide.
-   Ato tregtohen në tregun Primar dhe, për individët, pjesëmarrja është me ofertë jo-konkurruese, pra ata përfitojnë si interes yieldin mesatar të ponderuar të ankandit ku marrin pjesë. 
-   Shuma dysheme për të investuar në Bono Thesari është LEK 300,000.00 dhe mund të rritet me shumëfisha dhjetëmijëshe. 
-   Aplikimi për Bono Thesari bëhet nëpërmjet një llogarie bankare ku individi duhet të paguajë një komision aplikimi që ndryshon nga një Bankë në tjetrën. * 

*Norma e interesit nuk ndryshon nga banka ne bankë, pasi përcaktohet në ankand. 


Çfarë janë Obligacionet e Thesarit?

Obligacionet, në ndryshim nga Bonot, e paguajnë interesin në formë kuponi çdo 6 muaj, pra interesi vjetor ndahet në dy këste. Obligacionet janë investime më afatgjata sesa Bonot dhe maturimet janë 2, 3, 5, 7 dhe 10-vjeçare. Ankandet për afatet 7 dhe 10 vjeçare zhvillohen çdo 3 muaj, ndersa për tre maturimet e tjera bëhen me shpesh. Ankandet mund të jenë ankande të reja ose rihapje të ankandit më të fundit. Vitet e fundit, është tentuar të zhvillohet tregu sekondar dhe obligacionet 3 dhe 5 vjeçare tregtohen për klientët vetem në tregun sekondar.

 
Karakteristika të Obligacioneve të Thesarit:

-    Shuma minimale për të investuar është LEK 500,000.00 dhe rritet me shumëfisha njëqindmijëshe. 
-   Obligacionet, ashtu si edhe Bonot, janë tituj pronësie, që do të thotë se, përveçse tregtohen lirshëm, mund të përdoren edhe si kolateral. 
-    Obligacionet Shtetërore, në përgjithësi, konsiderohen nga mënyrat më të mira të investimit për klientët individualë apo dhe bizneset, si për nga Siguria, ashtu dhe për Interesin që ofrojnë.
-   Aplikimi për Obligacione Thesari bëhet nëpërmjet një llogarie bankare ku individi duhet të paguajë një komision aplikimi që ndryshon nga një Bankë në tjetrën. *

*Norma e interesit nuk ndryshon nga banka ne bankë, pasi përcaktohet në ankand. 

Të duhet ndihmë?

Kontakto shërbimin e klientit

Zgjidh asistencën e duhur

+355 4 22 76 000

Shtyp 1 për Shqip; 2 për Anglisht; 3 për Italisht
Për t'u lidhur me Shërbimin e Klientit
1
Për të raportuar një Kartë të Humbur ose të Vjedhur
2
Për Shërbimet e Thesarit
3
Për t'u rikthyer në Menunë Kryesore
0

Faqja Zyrtare e Intesa Sanpaolo Bank Albania përdor Cookies për të të siguruar eksperiencën më të mirë të kërkimit. Duke klikuar mbi "Prano të gjitha Cookies", ti pranon për ruajtjen e Cookies në pajisjen tënde për të rritur cilësinë e lundrimit në faqen e internetit, analizimin e përdorimit të faqes dhe na ndihmon në përpjekjet tona të reklamimit. (COOKIE POLICY).