NJOFTIM PER SHTYP
23.12.2019
Intesa Sanpaolo Bank Albania, Banka e parë në Shqipëri që ofron ndërprerje të përkohshme të pagesave të kredive (moratorium), ristrukturim kredie dhe kredi të reja me një periudhë shtyrjeje pagimi 6-mujore (grace-period) për qytetarët e prekur nga pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit.
Tiranë, 23 Dhjetor 2019 - Pas ngjarjeve tragjike që tronditën vendin në 26 Nëntor 2019, Këshilli Drejtues i Intesa Sanpaolo Bank Albania në mbështetje të plotë të angazhimit të tij për lehtësimin e gjendjes së qytetarëve të prekur nga pasojat e tërmetit, ka vendosur të prezantojë dhe ofrojë skema financiare të hartuara posaçërisht për qytetarët dhe subjektet juridike.
“Plani i Mbështetjes për të Prekurit nga Tërmeti” [1] synon të ndihmojë të gjithë qytetarët të cilët kanë humbur të afërmit, banesat, bizneset, vendet e punës si dhe subjektet që kanë nevojë për financim të ri për të riparuar dëmet, për të mbuluar kostot e zhvendosjes dhe për plotësimin e nevojave të tjera të menjëhershme.
“Plani i Mbështetjes për të Prekurit nga Tërmeti” do të ofrojë mundësinë e shtyrjes ose riskedulimit të ripagimit të kredisë (hipotekore, personale ose biznesi) dhe financime të reja për riparime ose qëllime të tjera që lidhen me objektivat e këtij plani.
Përkatësisht, “Plani i Mbështetjes për të Prekurit nga Tërmeti” është krijuar për të ofruar opsionet e mëposhtme financiare:
-Klientët ekzistues të Intesa Sanpaolo Bank Albania të cilët kanë një kredi hipotekore/ personale/ biznesi do të kenë mundësinë të aplikojnë për:
- Ndërprerjen e përkohshme të pagesave të kësteve të kredisë (moratorium) për një periudhë deri në 12 muaj. Pagesa e këtyre kësteve do të shtyhet në fund të periudhës së ripagimit.
- Ristrukturimin e një kredie ekzistuese me qëllim zvogëlimin e shumës së pagesave periodike dhe zgjatjen e maturimit të kredisë.
-Klientët e rinj të Intesa Sanpaolo Bank Albania: Të gjitha aplikimet për kredi afatshkurtër ose afatmesme do të gëzojnë një periudhë shtyrje pagimi (grace-period) prej 6 muajsh dhe një normë interesi preferenciale.
Më shumë informacion në lidhje me “Planin e Mbështetjes për të Prekurit nga Tërmeti” do të publikohet në faqen zyrtare të Intesa Sanpaolo Bank Albania (www.intesasanpaolobank.al). Të interesuarit mund të drejtohen në secilën prej 35 degëve të Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Kontributi dhe mbështetja për familjet dhe bizneset e prekura nga tërmeti do të vazhdojë të jetë një përparësi për Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Informacion për media: media.relation@intesasanpaolobank.al
[1] Aplikimi i dorëzuar do të analizohet me një Proces Aprovim Kredie më të thjeshtë dhe më të shpejtë, bazuar në qasjen rast pas rasti.