• No Suggestions Result

Rezultatet e gjysmës së parë 2022:

Deklarata e Carlo Messina, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo

Duke komentuar rezultatet e gjysmës së parë të vitit 2022 Carlo Messina, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo u shpreh se janë arritur rezultate të shkëlqyera në një mjedis sfidues dhe kjo është bërë e mundur falë nismave kryesore industriale të cilat po zhvillohen si pjesë e Planit të Biznesit të miratuar për vitet 2022-2025.

Ai përmend gjithashtu nismat me karakter social dhe ekonomik të promovuara nga grupi, duke përfshirë kontributin e jashtëzakonshëm prej 48 milionë euro-sh për të ndihmuar punonjësit e Intesa Sanpaolo në situatën aktuale të rritjes së përgjithshme të çmimeve në produktet ushqimore dhe energji.

“Ne po paraqesim rezultatet tona të gjysmës së parë të vitit 2022 të arritura në rrethana të vështira. Konflikti i nisur nga Rusia në Ukrainë ka shkaktuar një krizë serioze ndërkombëtare. Perspektiva ekonomike karakterizohet nga një rritje e ndjeshme e inflacionit – e cila u bë e dukshme në fillim të vitit – së bashku me një rritje të vazhduar të vështirësive sociale.

“Për këtë arsye, ne kemi vendosur t'u akordojmë secilit pjesëtar të grupit në Itali dhe jashtë saj  (me përjashtim të anëtarëve në pozicione të larta drejtuese) një kontribut prej 500 euro, duke arritur shpërndarjen e një totali prej përafërisht 50 milion eurosh për 82,000 pjesëtarë të grupit.

“Ne gjithashtu vazhdojmë mbështetjen tonë për popullin e Ukrainës, përmes donacionit tonë prej 10 milionë eurosh për të mbështetur nismat humanitare që u ndërrmorën menjëherë pas shpërthimit të konfliktit. Mbështetja ndaj Pravex Bank u mundësua nga pjesëtarët e shumtë të grupit, të cilët mikpritën kolegët nga Banka e Ukrainës në Itali dhe vendet në kufi me Ukrainën ku grupi është i pranishëm.

“Rikthejmë vëmendjen tek biznesi ynë, i cili arriti rezultate të shkëlqyera, falë nismave kryesore industriale të Planit të Biznesit 2022-2025 që janë në proces zhvillimi dhe kanë si qëllim ndërtimin e një grupi bankar të qëndrushëm në dekadën e ardhshme.

“Konteksti në të cilin ne operojmë – ekonomia italiane – vazhdon të tregojë shenja elasticiteti falë bazave të saj të forta: kursimet e larta të familjeve dhe bizneseve italiane përballë një borxhi të lartë publik; fuqia e industrive tona, veçanërisht e kompanive të orientuara nga eksporti që na vendosin në krye globalisht për sa i përket bilancit tregtar; dhe një sektor bankar solid mund të luajë një rol të rëndësishëm në zbutjen e vështirësive të kësaj faze.

“Ne konfirmojmë objektivin tonë të të ardhurave neto prej 6.5 miliardë eurosh për vitin 2025, pagesën e dividentit prej 70% për çdo vit të Planit të Biznesit dhe shpërblimin shtesë të aksionarëve përmes riblerjes së aksioneve që tashmë është nisur me këstin e parë prej 1.7 miliardë eurosh. Krijimi i vlerave të forta dhe shpërndarja e këtyre vlerave tek të gjitha palët e interesuara vazhdon të jetë prioriteti ynë.

“Rritja e normave të interesit, aftësia e bankës për të menaxhuar kostot me kujdes dhe elasticitet si edhe kryerja e zhvlerësimit masiv të aseteve janë forca shtytëse për rritje të mëtejshme, edhe në këtë mjedis sfidues. Falë tyre është arritur sukses në lidhje me nivelin më të ulët të stokut të papërdorur dhe zvogëlimin e raporteve të kredive të këqija në grup. 

“Intesa Sanpaolo parashikon të rrisë edhe më shumë fitimet e saj në pjesën e mbetur të vitit 2022: ne presim të tejkalojmë të ardhurat neto prej 4 miliardë eurosh, duke supozuar se nuk ka ndryshime të mëtejshme kritike në furnizimet me energji dhe mallra. Gjithashtu edhe nëse marrim në supozim skenarin më të keq të ekspozimit 40% ndaj konfliktit Rusi/Ukrainë, ne presim të gjenerojmë të ardhura neto në shumën mbi 3 miliardë euro.

“Rezultatet e arritura në gjysmën e parë të 2022 janë një demonstrim i mëtejshëm i aftësisë së Intesa Sanpaolo, edhe në rrethana të vështira, për të gjeneruar përfitime të konsiderueshme dhe të qëndrueshme përmes një modeli biznesi shumë të diversifikuar dhe elastik, prej të cilit përfitojnë të gjitha palët aksionere.

“Të ardhurat neto të gjysmës së parë ishin 3.3 miliardë euro, ndërsa të ardhurat neto të deklaruara ishin 2.35 miliardë euro, duke mos përfshirë këtu provigjionet prej 1.1 miliardë eurosh të vendosura në dispozicion për situatën e krijuar nga ekspozimi i grupit ndaj konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës. Aktualisht ne kemi mbledhur dividentë në shumën 1.6 miliardë euro.

“Ne pamë një rritje të konsiderueshme të të ardhurave neto nga interesi në tremujorin e dytë, krahasuar me një rritje prej 6.9% në tremujorin e parë të vitit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, të ardhurat operative janë rritur me 4.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Ndërsa ne vazhdojmë të investojmë në faktorët që sjellin rritjen e mëtejshme të të ardhurave, kostot u ulën me 2.5% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Ndërkaq raporti ynë kosto/të ardhura prej 47.5% na pozicionon në krye të bankave kryesore evropiane.

“Ne po lançojmë një njësi të re të qaujtur "Isy Tech" në bashkëpunim me kompaninë inovative "Thought Machine", i cili është lider në tregun e teknologjisë bankare. Kjo njësi do të shërbejë për zhvillimin e Isybank, pjesë e të cilës do të jenë 230 specialistë. Ne po punojmë për të zgjeruar dhe përforcuar në mënyrë të vazhdueshme njohuritë teknologjike për zhvillimin e Bankës.

“Në gjysmën e parë të vitit, ne kemi përmirësuar më tej cilësinë e aktiveve duke ulur kreditë bruto të zhvlerësuara me 4.1 miliardë euro krahasuar me fundin e vitit 2021. Si rezultat, ne e ulëm raportin bruto të kredive të këqija në 7.1% dhe atë neto në shifrën 1.0%, duke marrë në konsideratë provigjionet e planifikuara për këtë vit (tashmë subjekt i provigjioneve në tremujorin e katërt të 2021) dhe duke aplikuar standartet e Shoqatës së Bankave Europiane për raportim. 

“Struktura jonë e kapitalit mbetet shumë e qëndrueshme dhe tejkalon kërkesat rregullatore, me një raport të plotë në CET1 prej 12.5%, duke përfshirë riblerjen e plotë prej 3.4 miliardë eurosh të miratuar nga Banka Qendrore Europiane dhe 1.65 miliardë euro dividentë të përllogaritur në gjysmën e parë të vitit, nga të cilat një minimum prej 1.1 miliardë eurosh do të paguhet si divident i ndërmjetëm në nëntor.

“Intesa Sanpaolo mbetet një motor i ekonomisë reale dhe jetës sociale të vendit. Në gjysmën e parë të vitit, kreditimi afatmesëm dhe afatgjatë për individët dhe bizneset arriti në 32.4 miliardë euro në Itali (42.2 miliardë euro në total), duke ndihmuar 2100 biznese italiane të rikthehen në statusin e performancës pozitive dhe me fitim.

“Ne vijojmë të rrisim angazhimin për të realizuar programin tonë për të mbështetur shtresat në nevojë me një qëllim për të arritur 50 milionë ndërhyrje gjatë kohëzgjatjes së Planit, krahas 28 milionë ndërhyrjeve të bëra që nga viti 2019. Në gjashtë muajt e parë të vitit, ne kemi disbursuar më shumë se 5 miliardë euro në kredi sociale kundrejt një objektivi prej 25 miliardë eurosh flukse kumulative të shpallura në planin e biznesit.

“Në gjysmën e parë të vitit, ne vendosëm si qëllim të mbështesim një nga programet më të mëdha të strehimit social në Itali nëpërmjet financimit në shumën 500 milionë euro. Falë këtij programi synohet të ndihmohen një total prej rreth 7,000 njësish të dedikuara për të rinjtë dhe të moshuarit.

“Ne vazhduam gjithashtu disbursimin e kredisë tonë prej 8 miliardë eurosh, të dedikuar për zhvillimin e ekonomisë qarkulluese. Deri më tani janë dhënë më shumë se 2.3 miliardë euro kredi për subjektet të cilat aplikojnë parimet e ekonomisë qarkulluese në modelin tyre të biznesit.

“Zhvillimi profesional i njerëzve tanë ka qenë dhe mbetet faktori kryesor në arritjen e rezultateve solide dhe të qëndrueshme, që kontribuojnë për të mirën e të gjithë aktorëve: falënderimet tona shkojnë për ta.”

29 korrik 2022
 

Të duhet ndihmë?

Kontakto shërbimin e klientit

Zgjidh asistencën e duhur

+355 68 7573 000

Shtyp 1 për Shqip; 2 për Anglisht; 3 për Italisht
Për t'u lidhur me Shërbimin e Klientit
1
Për të raportuar një Kartë të Humbur ose të Vjedhur
2
Për Shërbimet e Thesarit
3
Për t'u rikthyer në Menunë Kryesore
0