INTESA SANPAOLO BANK ALBANIA MIRËPRET NË DURRËS TAKIMIN E BORDIT DREJTUES TË DIVIZIONIT TË BANKAVE NDËRKOMBËTARE
Në takim morën pjesë Drejtorët e Përgjithshëm Ekzekutivë të bankave ndërkombëtare të Intesa Sanpaolo dhe drejtuesit e lartë të Divizionit, nën drejtimin e Paola Papanicolaou, Drejtuese e Divizionit të Bankave Ndërkombëtare.
18.09.2026
Intesa Sanpaolo Bank Albania mirëpriti në Durrës, nga data 15 deri më 17 shtator 2026, takimin e Bordit Drejtues të Divizionit të Bankave Ndërkombëtare (IBD) të Intesa Sanpaolo, me pjesëmarrjen e Drejtorëve të Përgjithshëm Ekzekutivë të bankave ndërkombëtare të Grupit dhe drejtuesve të lartë të Divizionit.
I zhvilluar nën drejtimin e Paola Papanicolaou, Drejtuese e Divizionit të Bankave Ndërkombëtare të Intesa Sanpaolo, takimi shërbeu si një mundësi e rëndësishme për të shqyrtuar prioritetet strategjike të Divizionit, për të shkëmbyer përvoja nga tregje të ndryshme dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërmjet bankave ndërkombëtare të Grupit.
Diskutimet u përqendruan në zbatimin e Planit të Biznesit 2026–2029 të Intesa Sanpaolo, me vëmendje të veçantë ndaj rritjes së qëndrueshme, inovacionit, transformimit dixhital, integrimit operacional dhe zhvillimit të mëtejshëm të modelit të këshillimit të Grupit. Në takim u trajtuan gjithashtu mundësitë për të forcuar mbështetjen për familjet, bizneset dhe ekonomitë lokale në tregjet ku operon Divizioni i Bankave Ndërkombëtare.
Bankat ndërkombëtare të Intesa Sanpaolo përbëjnë një shtyllë strategjike të rritjes së Grupit jashtë Italisë. Me një prani të përzgjedhur në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në Egjipt, Divizioni u shërben rreth 7,4 milionë klientëve në 12 vende, duke ndërthurur ekspertizën e fortë lokale me kapacitetet, fuqinë financiare dhe përvojën e një prej grupeve bankare kryesore në Evropë.
Giuseppe Giampietro, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania, u shpreh:
“Është një nder i veçantë për Intesa Sanpaolo Bank Albania të mirëpresë në Shqipëri Paola Papanicolaou, Drejtuese e Divizionit të Bankave Ndërkombëtare, së bashku me drejtuesit e lartë të Divizionit. Zhvillimi i këtij takimi të rëndësishëm në vendin tonë pasqyron vëmendjen që Grupi ynë i kushton Shqipërisë dhe potencialit të saj për zhvillim.
Shqipëria po kalon një fazë të rëndësishme transformimi ekonomik dhe po përparon në rrugën e integrimit evropian. Si pjesë e Grupit Intesa Sanpaolo, kemi përgjegjësinë dhe mundësinë të kontribuojmë në këtë rrugëtim, duke ndërthurur njohjen e thellë të tregut vendas me ekspertizën ndërkombëtare të Grupit. Synojmë të vijojmë mbështetjen për familjet, sipërmarrësit dhe kompanitë përmes financimit, inovacionit dhe gjithnjë e më shumë, këshillës së duhur, për t’i ndihmuar të marrin vendime afatgjata të mirinformuara.
Ambicia jonë është të mbetemi një partner i besuar për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe njëkohësisht, të kontribuojmë në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe financiare midis Shqipërisë, Italisë dhe tregut më të gjerë evropian.”
Takimi në Durrës vjen në vijim të një sërë nismash që synojnë integrimin e mëtejshëm të bankave ndërkombëtare dhe përshpejtimin e zbatimit të Planit të ri të Biznesit të Grupit. Intesa Sanpaolo po zgjeron përdorimin e përbashkët të ekspertizës, teknologjisë dhe kapaciteteve këshilluese në rrjetin e saj ndërkombëtar, duke ruajtur pozicionimin e fortë lokal dhe njohjen e tregut nga secila bankë. Ndër nismat më të fundit janë zhvillimi i shërbimeve të avancuara të këshillimit dhe krijimi i një rrjeti të ri Këshilltarësh Financiarë në bankat ndërkombëtare. Këto nisma forcojnë pozicionimin e Grupit në ofrimin e këshillimit të qartë, të përgjegjshëm dhe të personalizuar, si dhe në ndërtimin e marrëdhënieve afatgjata me klientët.
Mbështetje për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë
Shqipëria ka shënuar përparim të rëndësishëm ekonomik dhe institucional gjatë viteve të fundit, të mbështetur nga rritja e investimeve, integrimi gjithnjë e më i madh me tregjet evropiane, zhvillimi i infrastrukturës dhe dinamizmi i sektorit privat. Në këtë kontekst, një sektor bankar i fortë dhe i qëndrueshëm luan një rol të rëndësishëm në orientimin e kursimeve drejt investimeve produktive, mbështetjen e kompanive dhe shoqërimin e familjeve përballë nevojave financiare në ndryshim.
Intesa Sanpaolo Bank Albania kontribuon në këto prioritete duke ndërthurur praninë e saj lokale me burimet dhe ekspertizën ndërkombëtare të Grupit Intesa Sanpaolo, për të mbështetur bizneset në fusha si investimet, inovacioni, dixhitalizimi dhe tranzicioni i gjelbër.
Në maj 2026, Banka nënshkroi një marrëveshje prej 20 milionë eurosh me Grupin e Bankës Evropiane të Investimeve, në kuadër të Instrumentit për Inovacionin dhe Transformimin e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja mundëson financim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) dhe kompanitë me kapitalizim të mesëm (Mid-Caps) në Shqipëri, që investojnë në inovacion, transformim dixhital, eficiencë energjetike dhe prodhim të qëndrueshëm. Shqipëria ishte vendi i parë përfitues i kësaj nisme të re rajonale.
Banka po kontribuon gjithashtu në zhvillimin e tregut të investimeve dhe kursimeve në Shqipëri, përmes transferimit të ekspertizës ndërkombëtare, zgjidhjeve inovative të investimit dhe edukimit financiar, duke mbështetur krijimin e një tregu financiar më të larmishëm, transparent dhe të qëndrueshëm.
Forcimi i partneritetit të hershëm mes Shqipërisë dhe Italisë
Prania në Shqipëri e drejtuesve të Divizionit të Bankave Ndërkombëtare shërbeu gjithashtu si një mundësi për të theksuar marrëdhëniet e ngushta ekonomike dhe institucionale mes Shqipërisë dhe Italisë.
Gjatë vizitës së saj, Paola Papanicolaou u takua me Sh.T. Marco Alberti, Ambasador i Italisë në Shqipëri. Takimi rikonfirmoi rëndësinë e partneritetit të hershëm mes dy vendeve dhe rolin që institucionet dhe bizneset italiane vijojnë të luajnë në mbështetjen e investimeve, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe integrimit më të ngushtë të Shqipërisë me ekonominë evropiane.
Marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë shtrihen përtej lidhjeve tregtare. Ato mbështeten në lidhje të forta historike, kulturore dhe institucionale, si dhe në ambicien e përbashkët për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe për të krijuar mundësi të reja për bizneset dhe komunitetet në të dy vendet. Institucionet italiane kanë shprehur vazhdimisht mbështetjen e tyre për integrimin evropian të Shqipërisë dhe forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe të investimeve mes dy vendeve.
Për Grupin Intesa Sanpaolo, kjo marrëdhënie ka një rëndësi të veçantë. Përmes Intesa Sanpaolo Bank Albania, Grupi ndërthur rrënjët e tij të thella në tregun shqiptar me fuqinë dhe ekspertizën e grupit bankar kryesor në Itali, duke kontribuuar në forcimin e lidhjeve ekonomike mes Shqipërisë, Italisë dhe Evropës.
Takimi i Bordit Drejtues të IBD në Durrës përfaqëson një moment të rëndësishëm për bashkërendimin strategjik të bankave ndërkombëtare të Intesa Sanpaolo dhe rikonfirmon angazhimin afatgjatë të Grupit ndaj Shqipërisë, qytetarëve dhe bizneseve të saj, si dhe rrugëtimit të vendit drejt integrimit evropian.
Divizioni i Bankave Ndërkombëtare i Intesa Sanpaolo
Nën drejtimin e Paola Papanicolaou, Divizioni i Bankave Ndërkombëtare operon përmes bankave tregtare në 12 vende: Shqipëri, Sllovaki, Kroaci, Serbi, Egjipt, Hungari, Slloveni, Rumani, Bosnje dhe Hercegovinë, Moldavi, Ukrainë dhe Republikën Çeke.
Divizioni u shërben rreth 7,4 milionë klientëve dhe luan një rol të rëndësishëm në strategjinë e rritjes ndërkombëtare të Grupit Intesa Sanpaolo, duke nxitur integrimin, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërmjet tregjeve, ndërsa ruan ekspertizën e fortë lokale dhe afërsinë me klientët.